Shoqata e Pacientëve RENESANSA organizoi me sukses Konferencën e rëndësishme mbi avancimin e trajtimit dhe ndërgjegjësimin për kancerin e gjirit metastatik në Kosovë. Ky event përfshiu pacientë, familjarë, dhe ekspertë të fushës së onkologjisë, kirurgjisë, radioterapisë, dietologjisë dhe mbështetjes psikologjike, të cilët ndanë përvojat dhe njohuritë e tyre në trajtimin e kancerit të gjirit metastatik.
Panelistët e ftuar trajtuan tema të rëndësishme për pjesëmarrësit:
- Prof. Dr. Alberto Costa, Onkolog dhe Kirurg, Drejtor Ekzekutiv i European School of Oncology dhe Drejtor Klinik i Qendrës Multimedia për Kancerin e Gjirit, diskutoi mbi “Opsionet e Avancuara të Trajtimit për Kancerin e Gjirit Metastatik.”
- Dr. Ilir Kurtishi, Onkolog Kryesor në Klinikën Onkologjike, ndau njohuritë e tij mbi rolin e radioterapisë në menaxhimin e kancerit të gjirit metastatik.
- Dr. Brunilda Haxhiu, Radioterapist Onkologjik, dhe Dr. Gazmore Bardhi, Onkolog Klinik në QKUK, shtjelluan përparimet më të fundit në trajtimin e kancerit metastatik dhe protokollet klinike aktuale në Kosovë.
- Dr. Luan Krasniqi dhe Dr. Ekrem Hyseni, Onkologë Klinikë në QKUK, trajtuan përfitimet e terapive të reja, si dhe ndanë histori pacientësh mbi efektet pozitive të trajtimit subkutan.
- Dr. Bedri Oumani, Kirurg Torakal në QKUK, prezantoi rolin e ndërhyrjeve kirurgjikale dhe përdorimin e kirurgjisë në rastet e kancerit të gjirit metastatik.
- Prof. Dr. Fatima Cardoso, Onkologe dhe Drejtoreshë e Breast Cancer Unit në Champalimaud Cancer Center, Lisbonë, dhe Dr. Kreshnike Dedushi, Radiologe, trajtuan strategjitë për përmirësimin e trajtimit të kancerit metastatik në nivel ndërkombëtar dhe lokal.
Pjesëmarrësit patën gjithashtu mundësinë të dëgjojnë nga Dr. Rina Limani, Patologe, dhe Enda Kuku, Dietologe Klinike, mbi rëndësinë e ushqyerjes së duhur dhe mbështetjes psikologjike gjatë trajtimit të kancerit të gjirit metastatik.
Fatime Fazliu, Psikologe Klinike, dhe Violeta Pirana, Drejtoreshë e RENESANSA-s, mbyllën eventin duke theksuar rëndësinë e mbështetjes psikologjike dhe rolin e organizatave të pacientëve në përmirësimin e cilësisë së jetës për pacientet me kancer metastatik në Kosovë.
Ngjarja shërbeu si një mundësi e vlefshme për shkëmbimin e njohurive dhe përvojave, duke përforcuar ndërgjegjësimin dhe mbështetjen për pacientët me kancer të gjirit metastatik.